Për vendin jo për partinë

Artikujt më të fundit

Rama intervistë për Top Channel, nga gazetari Muhamed Veliu

Do doja ta nisja këtë intervistë duke ju pyetur, si u arrit dakordësia për tu takuar të dielën me kryeministrin Berisha?

S’ka asgjë të posaçme, kemi marrë ftesën për takim dhe kemi pranuar, sigurisht është e vonuar, por më mirë vonë se kurrë.

Takimi do të jetë ekskluzivisht për çështjen e Presidentit apo do të diskutohen edhe tre çështjet e tjera që PS ka propozuar, që lidhen me reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe me çështjen e imunitetit?

Pak ditë më parë qoftë unë, qoftë kryeministri, kemi marrë një letër nga komisionari për zgjerimin, Stefan Fule dhe në atë letër praktikisht trajtohen pikat për të cilat ne kemi kërkuar që të ketë tryezë dhe të ketë përpjekje për ti zgjidhur të gjitha së bashku, por sigurisht një e nga një.
Ndërkohë që padyshim në takimin e së dielës do të diskutohet pika që është në rendin e ditës të parlamentit, ajo që lidhet me zgjedhjen e një presidenti i cili sipas nesh dhe sipas miqve dhe partnerëve ndërkombëtare, por edhe sipas vetë aspiratës së vet opinionit publik, duhet të jetë konsensuale.

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga ky takim?

Sigurisht që ne shkojmë në takim me vullnetin e plotë për ti dhënë zgjidhje çështjes së zgjedhjes së Presidentit, apo Presidentes së re të Republikës. Kjo do të thotë që pritshmëria jonë është që përmes dialogut dhe konsultimit të mund të dakordësojmë për modalitetet dhe padyshim edhe për një emër të përshtatshëm, i cili duhet të jetë emri i një personaliteti publik, që të mos jetë noter partiak, as i PD dhe as i PS.

Një dakordësi e gjetur të dielën, a do të përkthehej që të hënën kur parlamenti të votojë, Shqipëria do ta ketë Presidentin e ri të Republikës?

Kjo do të ishte padyshim më e mira që mund të ndodhte dhe për sa na takon ne do të bëjmë çdo përpjekje dhe do të shprehim vullnet të plotë që më e mira të bëhet.

Nga Vlora kryeministri Berisha deklaroi dje, ose më saktë la të kuptohet se është i gatshëm të bëj disa lëshime ndaj opozitës. Çfarë lëshimesh prisni?

Këtu nuk bëhet fjalë për lëshime ndaj opozitës. Opozita nuk po kërkon dhe as nuk synon që të ketë një president i cili të përfaqësoj opozitën. Nga ana tjetër sigurisht nuk synojmë të imponojmë apo të kushtëzojmë procesin e dialogut me emra që janë të njëanshëm, sado që në këndvështrimin tonë mund të jenë plotësisht të respektueshëm. Këtu bëhet fjalë për të bërë të gjitha lëshimet e nevojshme dhe për të arritur aty ku të gjithë së bashku duhet të arrijmë, që Shqipëria ta kalojë këtë provë me sukses dhe të ketë të nesërmen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së Republikës, një kryetar shteti që i përfaqëson të gjithë, që mishëron unitetin ndërkombëtar dhe që përbën një dëshmi të parë të faktit se me vullnet të mirë ne mund t’ ja dalim në funksion të marrjes gjithashtu së statusit të vendit kandidat në BE dhe në këtë moment historik që lidhet me 100 vjetorin e Pavarësisë.

Meqenëse jemi tek emrat, a shkon kryetari i opozitës në takimin e së dielës me kryeministrin Berisha me një emër apo me disa emra konkret për ti propozuar në tryezë?

Në qoftë se ka diçka në këtë periudhë me të cilën unë bie dakord me kryeministrin, është që eksperienca e vitit 2007 nuk duhet të përsëritet në një defekt të vetin, që kishte të bënte me transformimin e tryezës, në një tryezë ku vërtiten një pafundësi emrash që ngrihen dhe bien aty për aty. Prandaj bazuar dhe në atë eksperiencë, dialogu do të ndërtohet mbi disa modalitete, duhet të bihet dakord për çka duam të arrijmë dhe sesi mund ta arrijmë dhe pastaj nga procesi, i cili mund të jetë shumë i shkurtër, mund të jetë pak më i gjatë,mund të zgjas sa mund të zgjas një takim i vërtetë pune dhe bashkëpunimi, por mund të zgjas edhe pak më shumë, të dilet tek emri. Dhe jo anasjelltas.

Folët për procesin, mendoni që një takim në mbrëmje në orën 20.30 minuta, vetëm pak orë nga votimi i dytë në parlament, është pak paragjykues në vetvete, për hir të së vërtetës, pasi koha nuk është e mjaftueshme. Pra unë do doja t’ ju pyes, a do të keni kohë të mjaftueshme në dispozicion të dielën për të arritur diçka?

Sigurisht që ne do të kishim dashur që ky takim të ishte bërë më parë, do kishim dashur që ky takim të ishte duke u zhvilluar edhe tani që po flasim. Padyshim që një takim i një ore kaq të vonë dhe me një kufi kaq të afërt me raundin e dytë, nuk duket të jetë gjëja më e mirë që mund të ndodhte në pikëpamjen e planifikimit. Por nuk dua që të paragjykoj dhe me gjithë vullnetin e mirë dëshirojmë që të kontribuojmë duke ja dal për të mirën e vendit, për të mirën e njerëzve që përfaqësojmë por edhe për të mirën e një jete politike e cila duhet të ndryshojë cilësisht dhe duhet të kthehet në një jetë që prodhon ato çka shqiptarët presin dhe jo mbiprodhon atë çka shqiptarët me të drejtë i ka neveritur nga politika shqiptare.

Në këndvështrimin tuaj cila do të jetë e ardhmja e kandidatit të propozuar nga mazhoranca, e zotit Zaganjori?

Më lejoni tju them se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim kandidaturën e zotit Zaganjori, ashtu siç nuk do të kishim mbështetur dhe nuk do të mbështesim asnjë  kandidaturë që vjen në mënyrë të njëanshme, pa dialog, pa proces dhe pa vullnetin për të qenë shprehje e një konsensusi mes palëve. Sigurisht që në këtë aspekt është shumë e rëndësishme të ritheksohet se procesi nuk ka një rëndësi formale, por ka një rëndësi thelbësore, në mënyrë që të gjitha palët jo vetëm të jenë të përfshira por edhe të marrin përgjegjësinë përkatëse për zgjedhjen që parlamenti do të bëj, në rast se ajo do të jetë konsensuale në raport me publikun dhe me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Një president konsensual është njëkohësisht edhe mishërimi i një përgjegjësie të përbashkët.

Le të ndalemi në një tjetër aspekt zoti Rama. Cilat kanë qenë marrëdhëniet me LSI dhe konkretisht me Ilir Metën gjatë këtyre ditëve? Pasi kemi parë zotin Meta shumë aktiv në takime, në negociata, jo vetëm për çështjen e Presidentit.

Ka pasur shumë fantazira dhe shumë spekulime, të cilat sigurisht janë të natyrshme, aq më tepër në një vend si i yni ku ka shumë terren pjellor për të gjitha teoritë e konspiracionit. Por e vërteta e thjeshtë është se ne kemi ndërtuar një komunikim dhe besoj që ky komunikim ka sjellë si rezultat të parë, kalimin nga një kandidaturë unilaterale politikisht shumë e skalitur dhe njëkohësisht tërësisht e papranueshme për ne, në një terren në të cilin ka hapësirë për dialog, ka hapësirë për konsultime dhe pa dyshim ka hapësirë për kompromis.

Askush nga ne nuk pret që kandidatura e kompromisit të jetë një kandidaturë prej të cilës ne të fërkojmë duart duke thënë se e imponuam, por nga ana tjetër kjo gjë duhet të jetë e njëjtë edhe për palën tjetër. Presidenti apo Presidentja e re e Republikës duhet të jetë një figurë e cila të ketë dakordësinë e palëve po në asnjë rast të mos jetë me hijen e njërës palë mbi veten.

Gjatë intervistës zoti Rama, keni përsëritur disa herë termin kandidate. Mos ka ndërmend Partia Socialiste një kandidate femër?

Jo unë besoj se është shumë e rëndësishme që në këtë proces të bëhet e qartë se Shqipëria jo vetëm ka burra të cilët munda ta përfaqësojnë si mishërim të unitetit kombëtar të popullit shqiptar, çdo njëri nga ne në zyrën e kreut të shtetit, por ka dhe gra që mund të bëjnë po aq mirë të njëjtën gjë. E në fund të fundit duke qenë se popullsia e vendit tonë është e përbërë nga burra po aq sa dhe gra, është e natyrshme që në respekt të gjysmës së popullit shqiptarë të lihet e hapur dera edhe për një Presidente të re të Republikës.

Do ti rikthehem çështjes së bashkëpunimit me opozitën, pasi përmendët se ka shumë ide konspirative. Pyetja ime besoj se do ti sheshoj sado pak këto ide dhe do doja t’ ju pyesja më konkretisht zoti Rama. A po përpiqet PS të krijojë një marrëdhënie me LSI që do çonte drejt një koalicioni të mundshëm në zgjedhjet e 2013?

Partia Socialiste është në opozitës, LSI është në pushtet. Është një palë në qeveri dhe ne sot jemi në përpjekje të vazhdueshme për të komunikuar me të gjitha palët në qeveri, kështu që këtu nuk ka vend për spekulim. Ashtu sikundër është e qartë, që në rast se LSI nuk do të ishte në qeveri por do të ishte në opozitë, padyshim do të ishte detyra jonë që të kërkonim rrugën dhe të eksploronim çdo mundësi për një koalicion të madh opozitar, ku të përfshihej edhe LSI.

Do të zgjidhnit një president të propozuar nga PS më bekimin e PD, por jo të LSI?

E përsëris dhe njëherë tjetër, ne prej muajsh i kemi vendosur publikut përpara vizionin tonë dhe kemi parashtruar edhe kriteret që pak a shumë përvijojnë identikitin e Presidentit të Republikës. Duke e thënë qysh në krye të herës se Presidenti i Republikës apo Presidentja e Republikës nuk mund të jetë një figurë që është identifikuar fortë me një palë politike, e përkatësisht me Partinë Demokratike. Por kjo vlen qoftë për PD, qoftë për LSI dhe qoftë për Partinë Socialiste.

10 Mendimet tuaja për Për vendin jo për partinë

  • raimondi shkroi:
    05-06-2012 në 4:28 am

    Tani gjendja eshte pakez me ndryshe , pasi Meta foli se do votonte per Maxhorancen

    Sipas meje opozita te nxjerre nje kandidat , –Ndonje qe t e jete i njohur si patriot , sdhe kete kandidat qe ka nxjerre Saliu opozita ta diskretioje si njeri qe ka bere shitjen e hapesires detare
    –=Si dhe eshte treguar i njeanshem ne te gjitha vendimet e tij qe kane qene kunder opozites
    Po ashtu aty te vihej ne dukje qe kandidati i Sales vjen nga nje Gjyqesori qe eshte institucioni me problematik i demorkacise sone dhe i kontestaur edhe nga nderkombetaret per punen e tij te dobet

    Keto te gjitha ti thote ndonje anetar i kryesise , dhe po ai te paraqesi kandidatin e PS-se

    PS-ja psh mund te zgjidhte Pellumb Xhufin , qe ka qene edhe me LSI-ne, ….

    Ndaj nuk mendoj se eshte zgjidhje e mire te qendrohet ne bojkot
    EU nuk e pranon Bojkotin –Duhet qe PS-te futet ne loje , pavaresisht se dihet rezultati , pasi Sala nuk terhiqet nga e tija

    Por ama PS-ja ka per detyre qe duke u futur ne Loje ta diskretitoje Saliun per menyren dhe njeriun q e ka zgjedhur ..

    Ndersa duke mos mare pjese fare , nuk e diskretiton Salen aspak.
    Ai do e zgjedhe njeriun e tij dhe do e kaloje cdo gje ne heshtje, dhe PS-ja nuk fiton azgje as moralisht te pakten

    Edhe EU nuk e can shume koken per ne , por edhe nuk ka ca ti beje -
    Shto pastaj ketu qe EU eshte kunder politkave te Bojkotit , dhe tendenca qe ata kane ne pergjithesi eshte te jene pro pushtetit,
    se ata nuk i duan rremujat –Ata jane konformista ..

    –Se nuk do rijne te merren me ne…..Ata e trajtojne ne kendveshtrimin e pergjitheshem historik , te procesit.. –..qe Shqiperia eshte
    nje demokraci fillestare, dhe keto gjera jane normale ne nje vend pa trashegimi demokratike … ….

    Ndaj me mire PS-ja ta zgjedhi dike , dhe te ballafaqohet me force me Salen dhe kandidatin e tij duke u perqendruar ne luften e saj
    edhe tek procesi i njeanshem i Saliut –por edhe tek perzgjedhja e njeriut te Saliut

    Dhe kam pershtypjen qe duke zgjedhur Pellumb Xhufin , ja le ne dere Metes …..por edhe opinioni shqiptar ka simpati per Pellumb Xhufin dhe PS-ja do fitoje shume ne elektorat per te ardhmen ne kete menyre …dhe krijon avantazhin e nje aleance ne te ardhmen edhe me Aleancen Kuq e zi ,qe do kete goxha elektorat ….

    Përgjigje
  • raimondi shkroi:
    04-06-2012 në 2:27 am

    Mendoj se shefi i opozites tani pas takimit me Salen duhet te veproje
    me shpejtesi ne bashkepunim me Meten te rezojne kete qeveri
    dhe te krijojne nje qeveri teknike me kryeminister Meten ,

    Kjo qeveri te merret me pregatijen e zgjedhjeve te reja ,duke krijuar nje infastrukture te re per zgjedhjet e ardhshme

    Ne kete infrastrukture te re , te ndryshohet perberja er KQZ-se ,
    dhe te c’montohen strukturat kriminale te rendit te cilat fusin duart ne kutite e votimit

    Tani eshte tamam koha per veprime energjike nga kreysia e opozites socialiste …..

    Përgjigje
    • Daba shkroi:
      05-06-2012 në 1:26 pm

      Raimond pershendetje! Faleminderit per komplimentin, megjithese nuk e degjoj per here te pare. Gjithnje kane thene per mua: – eshte njeri i mire i shkreti’… dhe gjithnje si rastesisht jam gjendur mes militantesh te te gjitha ngjyrave (sa qejf me kane te shkretet). Raimond me thoshe se une nuk di politike, dhe te kam lexuar keto dite per te kuptuar nga politika por te them te drejten kalkulimet nuk me duken politike.
      Raimond para disa vitesh, kur sapo ishte bere Edi Rama Kryetar partie ne PS ca Nanoista me bene ftese per nje takim ‘me 1000 mbeshtetesa’ te Nanos dhe e refuzova, a e di pse? sepse e kuptova se po me shfrytezonin faktin se me kishin larguar nga puna ata te PD, por une nuk e kam harruar as sot e kesaj dite se edhe ata vete pra ‘nanoistat’ nuk me kishin qejf ne kohen e tyre edhe me thoshin ‘PD-ist’ sigurisht pas shpine, por ja qe nje dite ne Kongresin e PS kur sapo ishte zgjedhur Edi Rama kryetar (Iliri tha: ‘nje vote nje pallat’, pastaj pohoi se e kishte thene gabimisht nga inati) u gjenda ne salle mes militantesh te PS dhe as qe isha i interesuar per ta por per te degjuar Edi Ramen, kur papritur mu ne fillim te fjales se tij degjova ca piskama hallexhinjsh te thirrur mesa kuptova enkas: ‘Fa-tos Na-no…’ dhe njeri prej tyre qe njihej me mua qe nga fakulteti me tha me pak ndrojtje: -ne jemi me Fatosin… Une menjehere i thashe mendova se PS eshte nje alternative dhe bashke me nje mikun tim qe ishte si mua u derdhem mbi keta budellenj qe therrisnin madje u kemi shkuar deri tek karrigja ku ishin ulur qe te heshtnin. Mbaj mend si sot ate moment me sharjet qe me vinin nga te kater anet si dhe çastin kur desha te dale jashte salles, por ne fakt nuk e bera sepse miqte e mi ‘nanoiste i ndjeva ne krah duke bere te njejten gje me mua. Pasi u ula nuk po dija ku isha, vetem me permendi miku ‘nanoist’ ne krahun tim te majte qe me tha tekstualisht: ‘Ky e ka me gjithe mend’…-çfare i thashe?- po ja tha-’ Fatosi e di kur do filloje puna… kembengula te ma sqaronte mire dhe ai i zene ngushte kryqezonte syte me mikun e tij qe kishte prane dhe ma sqaroi pa hezitim:

      Fatosi -tha- ndryshon nga Edi ne nje pike; Ky i fundi e ka seriozisht per ta bere vendin, ndersa Tosi thote se eshte heret ka kohe….dhe aty e kuptova politiken shqiptare…

      Deri sot e kesaj dite qe po flas me ty, ata te rrjeshtuarit here me telefonojne here jo, here me thone se ata jane qe me moren tek salla e kongresit dhe madje me paten thene qe te mbeshtesja Edin, here bejne sikur do nxjerrin ndonje mendim nga goja, por thjesht perdredhin disa fjale ne ajer..qe pastaj ti vazhdoj une… here perserisin fjalet e mia te privatizuar prej tyre dhe levizin syte ne ajer nese jane ne momentin e duhur… Ufff Raimond politika ne Shqiperi dihet se çfare eshte, une thjesht ndjek shqisen time dhe jam jashte interesave te çastit. Nuk kam marre pune kurre nga politika, nuk pres perfitim personal nga politika, por as nuk mund te qendroj larg saj sepse ajo ka ne dore ta beje Shqiperine nje vend me te mire per te gjithe.
      Te uroj gjithe te mirat

      Përgjigje
      • 08-06-2012 në 8:32 pm

        Eshte interesante dhe nje komedi e vertete se si e pershkruan eksperience qe ke provuar ne Sallen e Kongreseve. Nuk e di se cdo te thote dhe te ndjeshe ne keto raste por nje gje e them me bindje: cfare mund te keshe ndjere duhet te jete asgje tjeter por neveri! Te ndjekesh nje politikane apo nje tjeter dhe te zhgenjehesh kaq shume do te thote qe shprehja ne kete shkrim eshte nje mesim per ata qe kane rastin te ta lexojne ate. Ndoshta ka ardhur koha qe ne popull i thjeshte, mesues, avokate dhe njerez qe punojne dhe jetojne nje jete me parime te mos mbeshtesim asnje politikane. Nese vendosim dhe jemi te afte te kuptojme qe NE nuk kemi nevoje per politikanet por ata kane per ne, ATA atehere do te kuptojne se nuk kane vlera. Politikanet jane atje ku jane dhe duan te jene atje ku duan te shkojne bazuar asbolutisht ne interesa vetjake. Populli duhet te arrijne te kuptojne qe ne duhet te jemi ne lufte me politikanet.

  • Arbeni shkroi:
    03-06-2012 në 5:53 pm

    Si shume here me pare, shqiperia ne udhkryq, ai qe medemek leshon pushtet per shtet, po kercenon, homologu i tij kerkon per vehte, a do fitoje alternativa europiane?

    Përgjigje
  • dorian pg shkroi:
    03-06-2012 në 9:38 am

    pershendetje
    z,edi rama i vetmi rrug per ta shuar kete zjarr qe po fillon eshte qe te vendosesh fatos nanon per president,e ti tregoje berishes e metes se edhe pse jane bashke ne qeveri ,nuk jane te fuqishem ,sesa nano me ramen,,jepja nje mundesi ,,ndryshe opozita pogradecare do te shkaterrohet,,e mbare vendi.

    Përgjigje
  • Jonida Leku shkroi:
    02-06-2012 në 11:27 pm

    Z,Rama,pazaret behen per Fatosin,kij kujdes se po te rreshkiti kesaj here ,mbete per gjth jeten ne opozite,fatosi me te infiltruarit e berishes kane kercenuar me formimin e partise punes ashtu sikur te gjithe thone se qimen kane nderruar,populli e ka zbuluar me kohe strategjine e metes me fatosin dhe salen ,kujdes.mos ja jep ate mundesi.

    Përgjigje
  • Arben Skende shkroi:
    02-06-2012 në 11:26 pm

    Ehhh c’fare mund te bisedohet kur midis dy kampeve qe i ndan nje det i tere,c’fare mund te bisedohet midis kultures dhe injorances,midis vrasesit dhe te vrarit nuk e di…..

    Përgjigje
    • Daba shkroi:
      03-06-2012 në 4:37 pm

      Diskutimet vlejne te inkurajohen ne Shqiperi ne vendin e monologjeve. Hiastoria ka pare dy armiq te respektohen, te diskutojne, te bejne marreveshje, jo me dy shqiptare te diskutojne per te miren e vendit te tyre, te pasardhesve te tyre, te cilet kush e di ? ndoshta do ta vleresejone kete gje e mbase do ta konsiderojne piken e nisjes se nje bashkepunnimi e bashkeveprimi real per te miren e vendit te perbashket. HWO KNOWS the show must go on.

      Përgjigje
  • Daba shkroi:
    02-06-2012 në 10:23 pm

    Pershendetje!

    Duket se rete po davariten dhe e blujta po shfaqet ne hapesiren politike shqiptare. Nje interviste optimiste qe ne krye te saj: “Per vendin jo per Partine”, na forcon besimin mbi opoziten si faktor vendimtar ne demokratizimin e vendit. Ky eshte rasti me i mire qe ilustron shprehjen e Bismarkut per politiken si ‘arti i te mundshmes’.
    Suksese!

    Përgjigje

Hyni për t'u përgjigjur

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

CAPTCHA Image
*